Fondacioni Mediatik Dritan Hoxha

Fondacioni Mediatik “Dritan Hoxha” u krijua ne dhjetor të vitit 2010 dhe mban këtë emër për nder të themeluesit të Top Media Group dhe një prej drejtuesve më të suksesshëm të medias audio-vizive shqiptare, me një kontribut të veçantë në zhvillimin e këtij sektori në Shqipëri.
Ky fondacion u krijua me vullnetin e familjes dhe bashkëpunëtorëve të Dritan Hoxhës, për të kontribuar më tej në fushën e medias, artit dhe kulturës duke transmetuar sistemin e vlerave më të mira të punës në Top Media Group dhe për të promovuar vlera të reja.

Fondacioni “Dritan Hoxha” synon të kontribuojë për një shoqëri shqiptare të orientuar edhe më shumë nga kultura, arti, komunikimi, zhvillimi mediatik, nëpërmjet talentit dhe inovacionit. Ne kontribuojmë për një realitet shqiptar më të pasur kulturor e mediatik, që ofron mundësi për ta bërë atë më cilësor dhe gjithëpërfshirës.

Dritan Hoxha

I lindur në Tiranë më 20 shtator 1968, Dritan Hoxha do të mbahet mend ndoshta si personazhi kryesor në median shqiptare të periudhës së post komunizmit. Dritan Hoxha revolucionarizoi brenda një peridhe mjaft të shkurtër kohe median në Shqipëri, duke vendosur standardet atje ku të tjerët nuk kishin menduar më parë.

Historia e biznesit e Dritan Hoxhës lindi në vitin 1995 me krijimin e markës së kafesë, Lori Caffe, e njohur tashmë në të gjithë vendin. Por suksesi i biznesit të tij të parë, e ndihmoi të vinte në jetë pasionin e tij për median. Më 14 shkurt 1998 ai themelon Top Albania Radio, e cila ishte media që tregoi së pari idetë e tij inovatore. Për këtë arsye, shumë shpejt, kjo radio falë pasionit dhe përkushtimit të Dritan Hoxhës kaloi për nga audienca të gjithë të tjerat dhe u kthye në radion e parë dhe më të ndjekur në Shqipëri. Në fakt, Top Albania Radio ishtë shndërruar në një trend, një modë që kërkohej e ndiqej nga të gjithë shqiptarët, duke barazuar edhe në Shqipërinë e tranzicionit standardet me perëndimin.

Por ky ishte vetëm fillimi, sepse Dritan Hoxha mendonte që këto standarde t’i shtrinte edhe në fusha të tjera, ajo më kryesorja: televizioni. Më 20 dhjetor 2001 lindi Top Channel. Në fakt Top Channel kishte lindur shumë kohë më parë më mendjen e Dritan Hoxhës, por më 20 dhjetor të vitit 2001, ai u bë i prekshëm për të gjithë shqiptarët. Një investim i madh, i paparë më parë në Shqipëri, në njerëz dhe në teknologji, që falë përkushtimit të punës së përbashkët dhe pasionit të përditshëm të krijuesit të tij u kthye shpejt, brenda pak javësh, në një nga televizionet më të ndjekur dhe më pas në televizionin kryesor në vend për nga audienca. Top Channel ndryshoi krejtësisht panoramën televizive në Shqipëri. Dritan Hoxha nuk ndërtoi një televizion sipas kushteve të kohës, por kërkoi të ndryshonte status quo-në e mediave ende primitive në Shqipëri dhe të ngrinte një shërbim cilësor pranë njerëzve dhe për të gjithë shqiptarët. Prandaj me standardet e reja që ai vendosi në treg, Top Channel u shndërrua në ekranin më të dashur të shqiptarëve për nga shpejtësia dhe cilësia e informimit, programet dhe spektaklet që nuk kishin asgjë më pak se ato të shumë prej televizioneve të njohura në vendet e zhvilluara të Europës. Këtij pasioni dhe mundi njerëzor ai i bashkangjiti edhe investimin teknologjik, që ndihmoi në përcjelljen e sinjalit kudo me një kualitet maksimal.

Suksesi i Top Channel e ndihmoi Dritan Hoxhën të vinte në jetë një tjetër ëndërr, atë të krijimit të një platforme të transmetimeve numerike. Dhe në këtë mënyrë lindi Digitalb. Më 14 korrik 2004, Shqipëria u rendit zyrtarisht ndër të paktët vende në botë me transmetime dixhitale. Një ide, që disa muaj më parë shumëkush mund ta kishte cilësuar si të pamundur, tashmë ishte kthyer në realitet. Dhe në thatësirën e shërbimeve që i ofroheshin shqiptarëve, të cilën Top Channel nuk mund ta mbushte dot i vetëm, Digitalb u shndërrua në një sukses të vërtetë. Vetëm pak muaj më vonë, Dritan Hoxha vendosi ta bënte atë të prekshme për të gjithë shqiptarët, edhe për ata që jetonin jashtë Shqipërisë. Digitalb u kthye edhe në një platforme dixhitale satelitore, duke sjellë atdheun në cdo shtëpi emigrantësh, kudo që ata ndodheshin në Europë. Tani Digitalb numëron qindra mijë abonentë në Shqipëri dhe jashtë saj. Ndërsa në 20 dhjetor 2006 lançoi teknologjinë DVBH, që do t’u sillte shqiptarëve mrekullinë e televizionit në celuar dhe do ta bënte Shqipërinë një ndër vendet e para në botë që aplikonin këtë teknologji dhe ofronin këtë shërbim. Viti 2007 do të shënonte një tjetër risi: transmetimet HD. Nëpërmjet saj Digitalb u kthye në platformën lider në tregjet europiane, duke transmetuar në plot 6 kanale HD dhe duke e vendosur Shqipërinë në krye të çdo renditje në këtë fushë, ndoshta për herë të parë për arritje dhe jo fenomene negative.

Pikërisht për të gjitha këto arritje, Dritan Hoxha krahas vlerësimit dhe nderimit të miliona shqiptarëve, është vlerësuar me medalje edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, si dhe është shpallur qytetar nderi i Tiranës dhe Vlorës, nga Këshillat Bashkiak të këtyre qyteteve. Tri rrugë mbajnë emrin e tij,  një në Tiranë, një në Prishtinë dhe tjetra në Tetovë si simbole të kontributit që Dritan Hoxha dha për bashkimin kulturor dhe emancipimin e shqiptarëve në të gjitha trojet etnike.