Konkursi mediatik për gazetarët e rinj

Konkursi mediatik për gazetarët e rinj

Fondacioni “Dritan Hoxha”, për të tretin vit radhazi, ndau çmimet multimediale, me qëllim nxitjen dhe evidentimin e brezit të ri të gazetarëve. Vjollca Dako, Drejtoresha e Fondacionit u shpreh se në konkursin e sivjetshëm u shtuan edhe disa zhanre të tjera në konkurim.

“Konkursi i këtij viti, në ndryshim nga vitet e tjera, u konceptua që të përfshinte më shumë forma të gazetarisë dhe nuk ka pasur kufizim moshe apo të formimit akademik të konkurentëve. Kjo për t’i dhënë sa më shumë mundësi të rinjve të shprehin talentin në këtë fushë. Konkursi, përveç kategorisë së shtypit, reportazh dhe investigim, këtë edicion përfshiu edhe 2 kategori të reja raportimin multimedial, video sociale, me karakter informues dhe denoncues me impakt të veçantë social”, tha Vjollca Dako.

Nga 250 konkurentë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe shqiptarë që jetojnë në Europë, u përzgjodhën nga 3 finalistë për 3 zhanre të ndryshme ku fitues për çmimin e shtypit të shkruar u shpall Julian Hoxhaj.

Çmimi për raportim multimedial për gazetarin online u fitua nga Xhentiana Muskaj dhe çmimi video-sociale nga Arisa Lico.

“Së pari jam shumë e nderuar që kam marrë një çmim në kategorinë e videos sociale dhe për mua ky çmim do të thotë shumë. Unë sapo e kam nisur karrierën time dhe jam e bindur se ky çmim do të jetë një ogur i mirë për të ardhmen”, tha Arisa Lico.
“Ky çmim ka një domethënie mjaft të madhe për mua pasi konfirmova pasionin tim. Të bësh gazetari në Shqipëri ja vlen”, u shpreh Xhentiana Muskaj, fituese e çmimit për gazetarinë online.

“Ky çmim për ne si gazetarë të rinj dhe aspirantë të së ardhmes në fushën e medias është diçka që do të donin ta arrinin shumë kolegë të mi”, tha Julian Hoxhaj, fitues i çmimit për shtypin e shkruar.

Anëtarët e jurisë dhanë këto komente për materialet e paraqitura në konkurim.

“Realisht e kemi pasur shumë të vështirë për të vendosur për fituesin. Të gjithë kanë tentuar të trajnojnë një lloj gazetarie që lidhet drejtpërdrejt me jetën e përditshme të qytetarëve. Kjo lloj gazetari është pikërisht ajo që na duhet për të çuar televizionin dhe median në përgjithësi atje ku janë problemet e njerëzve”, tha Mentor-Kikia, anëtar i jurisë.

“Për herë të parë spikat fakti që një pjesë e mirë e kandidatëve ishin përfaqësues të nivelit të dytë të arsimit pasuniversitar dhe kjo do të thotë që është për t’u vlerësuar jo vetëm fryma e kualitetit, por mbi të gjitha në këtë konkurs vijnë publicistë të rinj, të cilët do të sjellin në shtypin e shkruar dhe online një frymë të re”, tha Aleksandër Çipa.

“Interneti mund të ri-medioi të gjitha mediumet tradicionale në një platformë të vetme. Përshëndes fituesit dhe dëshiroja të thosha që kishte edhe punime të tjera të mrekullueshme”, tha Rrapo Zguri.

Ndarja e këtyre çmimeve për këtë vit kishte një domethënie krejt të veçantë, pasi 6 vjet me parë u shuajt Dritan Hoxha, themeluesi i Top Medias, personi që revolucionarizoi jo vetëm tregun mediatik në Shqipëri, por që ndryshoi edhe kontekstin social të shqiptarëve , jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni dhe në të gjitha trevat shqipfolëse.

Dritan Hoxha ishte ai që u dha hapësirë shumë të rinjve, me dhjetëra të tillëve që të shprehnin talentin dhe aspiratat e tyre, të ndihmonin njëri-tjetrin në realizimin e një ëndrre të madhe mbarëkombëtare të të gjithë shqiptarëve.