Një “Gala” në emër të gruas

Një “Gala” në emër të gruas

Në një shoqëri maskiliste, gratë nuk e kanë të lehtë të marrin rolin e tyre. Për të mbështetur gruan dhe rolin e saj në familje e shoqëri, si dhe për të reaguar ndaj valës së dhunës në shoqëri gjatë vitit 2012, Top Media i dedikoi gruas një mbrëmje gala. 
Një gruaje të suksesshme i shkoi këtë vit edhe çmimi i përvitshëm i Fondacionit “Dritan Hoxha”, i cili këtë radhë ka vlerësuar këngëtaren legjendare Vaçe Zela për kontributin e saj të paçmuar në shërbim të artit shqiptar. Cmimi i është dorëzuar zonjës së madhe të muzikës shqipe në banesën e saj në Zvicër nga Vjollca Dako, drejtoreshë e fondacionit mediatik “Dritan Hoxha”.
“Ju falenderoj me gjithë shpirt për këtë vlerësim. Me këtë rast i uroj shqiptarëve një vit të gëzuar”, u shpreh Vaçe Zela. Jo vetëm si presidente e Top Medias, por si një grua që drejton një sipërmarrje gjigande dhe një nënë e përkushtuar, Vjollca Hoxha përshëndeti në këtë mbrëmje të veçantë për gratë shqiptare duke përcjellë mesazhe kurajoje dhe mbështetjeje: “Ne jemi gjysma më e bukur dhe më fisnike. Ne jemi një nënë, jemi një grua, një mbesë, një bashkëshorte. Jemi të kujdesshme, të brishta, mbase edhe të frikësuara, por kurajoja nuk na ka munguar kurrë.Kur je një grua në krye të një institucioni, përballesh me shumë paragjykime dhe prapagjykime, por pa modesti mund të them se së bashku me vajzat dhe djemtë e mrekullueshëm të Top Channel i kemi përballuar dhe kapërcyer të gjitha sfidat.”
Eventi  ka vijuar me performanca të ndryshme nga disa prej artistëve më në zë shqiptarë të të gjitha brezave në vend, por edhe në botë. Këngëtare të njohura si Anita Take, Juliana Pasha, solistja Marjana Leka, fituesja e edicionit të parë të “The Voice of Albania”, Rina Bilurdaku, apo Alma Bektashi, kanë interpretuar për publikun në sallë. Gjithashtu pjesë e mbrëmjes gala kanë qenë edhe performanca muzikore nga disa prej instrumentisteve më të njohura që e kryejnë aktivitetin e tyre suksesshëm në botë, si violinistja Suela Mullai apo pianistja Manjola Trebicka. Gratë më të susksesshme ishin bërë bashkë në këtë mbrëmje në sallën e Universitetit të Arteve, por edhe ato që jetojnë e punojnë anembanë botës ishin të pranishme përmes mesazheve të tyre në ekranin gjigant në skenën e këtij koncerti. Solistët Ermonela Jaho dhe sopranoja  Inva Mula e këngëtarja Eda Zari, përkthyesja dhe shkrimtarja Mira Meksi si dhe shkrimtarja Anilda Ibrahimi kanë përcjellë për publikun dhe sidomos për femrën shqiptare me anë të një videokonference, një mesazh respekti dhe një apel kundër dhunës dhe diskriminimit të gruas. Edhe moderatorja e njohur e Top Channel, Rudina Xhunga, ka mbështetur inisiativën duke e cilësuar këtë vit si vitin e gruas.