20 Maj 2015

Ediconi i 3-të i `Albanian ICT Awards`

Mbrëmjen e së premtes janë shpallur fituesit e edicionit të 3-të të “Albanian ICT Awards”. Ky konkurs mbarëkombëtar ka finalizuar përpjekjet disamujore në kërkim të yjeve të teknologjisë së informacionit në mbarë trevat shqipfolëse.

Në ceremoni janë ndarë çmimet në 7 kategori, që kanë qenë objektiv i aplikantëve. Fituesi i “ICT inovacioni i vitit” i shpall Mërgim Cahani, në kategorinë “ICT ylli në ngritje i vitit” u vlerësua Kelvin Çobanaj; me çmimin “ICT mobiliteti i vitit” u vlerësua Bledar Bregu; “ICT diploma e vitit” për Mirgita Frashëri; “ICT akademiku i vitit” iu dha Edmon Harizit.

Çmimi “ICT shërbimi publik i vitit” shkoi për Ministrinë e Mirëqënies dhe Rinisë, ndërsa në Kosovë shkoi për administratën tatimore.

Të rinjtë nga mbarë trevat shqipfolëse kanë qenë të shumtë edhe në këtë edicion.

“Albanian ICT Awards” u organizua në kuadër të “Javës së Inovacionit”. Një ndër partnerët që mbështet këtë event prej tre vitesh, është Fondacioni Mediatik “Dritan Hoxha”.

“E rëndësishme është që kanë marrë pjesë kaq shumë dhe për ata që nuk do të fitojnë, të mendojnë që idetë e mira nuk kuptohen gjithmonë në kohën e tyre, kështu që duhet të këmbëngulin e të vazhdojnë dhe të çojnë më tej idetë vizionare të tyre. Këtu kemi një shembull të jashtëzakonshëm me Fondacionin ‘Dritan Hoxha’. Dritan Hoxha, i cili ka qenë një njeri krejtësisht vizionar, që padyshim në kohën kur krijoi atë që krijoi, shumë të tjerë e kanë marrë si dikush që nuk dinte mirë atë që po bënte, por ai e dinte më mirë se gjithë të tjerët. Ajo që dua t’u them të rinjve është: mos shikoni nesër, shikoni pasnesër, sepse teknologjia ecën me një ritëm krejtësisht të paimagjinueshëm”, deklaroi ministrja e Inovacionit, Milena Harito.

Në ceremoni ishin të pranishëm ministrja e Mirëqënies e Kosovës, Rita Hajzeraj, ish-ministri i Mirëqënies Sociale në Shqipëri, Erion Veliaj, përfaqësues të trupit diplomatik, udhëheqës të biznesit dhe organizata të ndryshme nga Shqipëria dhe Kosova.

Me organizimin dhe promovimin e të rinjve inovatorë “Albanian ICT Awards” ka përmbushur qëllimin e vet edhe këtë edicion për identifikimin e talenteve në fushën “ICT”.