Hapet zyrtarisht gara për Albanian ICT Awards 2012
Kompania ICTS Media, lidere në botimet mediatike të ICT-së në rajon, përmes mediumeve të saj të shtypura dhe online, “PCWorld Albanian”, “CIO Albanian”, “GameWorld” dhe revistës më të fundit “Computer World Albania”, në bashkëpunim me Fondacionin “Dritan Hoxha” dhe partnerë të tjerë, do të organizojë për herë të parë eventin e “Albanian ICT Awards 2012”, i cili do të mbahet në Tiranë.
ICTS Media është partnere e licencuar për botim të mediave të teknologjisë nga “International Data Group” (IDG). Takimi i parë i punës u mbajt dje në ambientet e PROTIK, në Tiranë, ku u prezantua trajtimi i eventit “Albanian ICT Awards”, informimi mbi planet dhe veprimet në organizimin e eventit në fund të muajit mars 2013, si dhe prezantimi i partnerëve. Eventi ka për qëllim të çojë përpara vlerat e ICT-së dhe të identifikojë vlerat më të mira individuale shqiptare në industrinë e ICT-së, udhëheqësit e kësaj industrie që kanë pasur sukses dhe ndikim të rëndësishëm pozitiv në kontributin e zhvillimit të teknologjisë së informacionit në sektorin publik apo privat dhe në identifikimin e yjeve nën moshën 18-vjeçare.I mbështetur nga PROTIK dhe fondacioni “Dritan Hoxha”, nga mediumet e TIK-ut, si “PcWorld”, CIO dhe “Computer World”, eventi pritet të shndërrohet në një traditë të përvitshme për të nxjerrë në pah dhe për të shpërblyer profesionistët e shquar, udhëheqësit e suksesshëm dhe inovatorët shqiptarë në fushën e ICT-së. Dje ka qenë dhe dita zyrtare e hapjes së aplikimeve, përmes të cilave kandidatët mund të konkurrojnë, duke plotësuar kriteret e aplikimit përmes faqes së internetit www.ictawards.org. Kategoritë e nominimeve janë pesë: Kreativiteti TIK i Vitit, Akademiku TIK i Vitit, Mobiliteti TIK i Vitit, Tema e Diplomës TIK e Vitit, (Ylli i Vitit TIK në ngritje). Përveç fitimeve dhe certifikimeve, përfitime të tjera po kaq të rëndësishme janë vlerësimi për aktivitetet dhe të arriturat individuale, krijimi i besueshmërisë profesionale, krijimi i kontakteve dhe marrëdhënieve të ndërsjella me pjesëmarrësit në fusha, veprimtari dhe aktivitete të ndryshme. Njëkohësisht, fituesit e Çmimeve “Albanian ICT Awards” do të përfitojnë abonim 1-vjeçar në revistën “Computer World Albania” dhe do të përfitojnë abonime online, të cilat do të lançohen së shpejti nga ICTS Media. Përveç shoqërimit të çmimeve me përfitime financiare, ato do të shoqërohen edhe me përfitime materiale, të pajisjeve të ndryshme të teknologjisë.