Cikli i video-dokumentarëve “Rrathë”
Realitete urbane, copëza jete të sjella përmes pamjeve që flasin më shumë se fjalët, tema sociale të njohura, por që përcjellin mesazhe kuptimplota.
Ky ka qenë boshti që ka bashkuar në projektin ‘Rrathë’, 90 të rinj e të reja, pjesëmarrës në konkursin e videodokumentarëve me metrazh të shkurtër i financuar nga fondacioni “Soros” dhe me mbështetjen mediatike të fondacionit mediatik “Dritan Hoxha”.
24 dokumentarët më të mirë u përzgjodhën nga një grup gazetarësh të njohur të medias së shkruar dhe vizive dhe u transmetuan për disa javë me radhë në ekranin e televizonit kombëtar Top Channel.
“Është një nismë që lindi padyshim për një nevojë për të komunikuar ndryshe, për të përcjellë në mediat më shumë jetë nga jeta jonë, për të dëgjuar rrëfime dhe dëshmi nga jeta e njerëzve të thjeshtë, rrëfime nga komunitete të harruara, rrëfime të të rinjve të periferive, në zonat e thella që kanë nevojë për vëmendje dhe përkushtim, që duan të shohin dhe bëjnë plane për një të ardhme dinjitoze në këtë hapësirën tonë që përditë e më shumë ngushtohet dhe ja merr frymën dinjiteti dhe vlerave tona të përbashkëta”, tha në fjalën e tij, drejtori i Fondacionit Soros, Andi Dobrusha.
“Ne e nisëm këtë projekt me idenë për t’i mësuar ata të rinj. Rezultati është që ne mësuam më shumë nga ata”, tha gazetari Fatos Baxhaku.
Në emër të fondacionit, drejtoresha Vjollca Dako i ka akorduar cmimin special, dokumentarit mbi jetën e Agustinit, 13-vjeçarit të paralizuar që i buzëqesh jetës cdo ditë, pavarësisht problemeve të mëdha sociale që kalon familja e tij. “Ky cmim special i jepet Erjona Çamit për videodokumentarin ‘Agustini’ me motivacionin për profesionalizëm në realizimin e një dokumentari që na ka sjellë një personazh që na frymëzon me kurajon për të jetuar jetën njësoj sit ë tjerët”, u shpreh zonja Dako.
Gazetari Enkel Demi, në emër të jurisë e përbërë nga Iris Luarasi dhe Blendi Salaj, theksoi mbështetjen e televizionit Top Channel, i cili po ndjek traditën e themeluesit të tij, Dritan Hoxha, për të qenë gjithmonë e më shumë pranë qytetarëve. “Ajo ç’ka ka bërë fondacioni Soros është me të vërtetë shumë e mirë, sepse u ka dhënë mundësi disa njerëzve, jo vetëm të afirmohen, por mbi të gjitha të nisin dhe bëjnë profesionin për të cilin ata aspirojnë dhe janë shkolluar. Pjesa tjetër është Top Channel, nëpërmjet fondacionit ‘Dritan Hoxha’, që ka plotësuar një segment, që në përgjithësi televizionet komerciale nuk e bëjnë që duke transmetuar këto dokumentarë ka plotësuar kriterin e edukimit të publikut, prandaj për mua kjo ishte jashtëzakonisht e rëndëishme që një televizion kombëtar ta bënte këtë”, tha gazetari Enkel Demi.
Juria vlerësoi me cmim të tretë videodokumentarin “Ninullat” me skenar e regji të Gjergj Gjelit, i cili prek temën e ndjeshme sociale të braktisjes së fëmijëve në lindje, me cmim të dytë, u vlerësua dokumentari “Painted Red” me regji të Anis Lekës dhe cmimin e parë e fitoi videodokumentari “Shqipëria nën gërshërë’ me skenar e regji të Mirel Gjyzelit.