Një mbrëmje Gala Bamirësie
Fondet që do të mblidhen nga kjo nismë do i shkojnë familjeve të ngujuara në Shkodër dhe Dukagjin. Presidentja e Top Medias, zonja Vjollca Hoxha, në fjalën e saj përshëndetëse tha se Shqipëria e shekullit të XXI nuk mund të jetë vendi me pabarazi të theksuar sociale, nuk mund të jetë vendi ku njerëzit ngujohen, ku drejtësia të shitet dhe të blihet si mall në treg.“Si grua e si nënë më është dashur shpesh të përballem me shumë probleme. Si drejtuese e një kompanie mediatike, më është dashur të njihem me shumë histori të dhimbshme grash dhe fëmijësh në të gjithë vendin. Por, në kujtesën time janë ngulitur fort historitë e mbushura me trishtim dhe vuajtje të shumë familjeve, të cilat janë në kushtet e ngujimit për shkak të gjakmarjes. Sot, ne jemi këtu të tregojmë dimensionin e madh human të shoqërisë sonë. Të kontribuojmë duke mbledhur të ardhura për familjet e ngujuara të gjakmarrjes. Kjo padyshim që nuk do ta zgjidhë problemin e tyre, por do të jetë një shenjë që do t’u tregojë atyre se nuk janë vetëm në këtë fatkeqësi”, tha në fjalën e saj zonja Hoxha.Në këtë mbrëmje është dhënë edhe çmimi vjetor i fondacionit “Dritan Hoxha”. Ky çmim i ka shkuar këtë vit drejtorit të emisionit investigativ “Fiks Fare”, zotit Filip Çakuli.“Pikërisht, për kontributin që ky emision solli në denoncimin që i bëri korrupsionit në drejtësi, jam shumë e lumtur që krahas iniciativës për të ndihmuar dhe sensibilizuar për fenomenin e rëndë të gjakmarrjes, këtë vit të nderoj edhe vlerësoj edhe njerëzit që punojnë çdo ditë për të bërë këtë vend më të mirë. Ndjehem e lumtur që çmimin e fondacionit “Dritan Hoxha” ia dorëzoj mikut tonë të mirë, Filip Cakulit”, tha zonja Hoxha. “Është kënaqësi e veçantë që marr këtë çmim që mban emrin e themeluesit dhe mikut tonë të paharruar Dritan Hoxha. Dua të falenderoj për këtë çmim skuadrën time të punës me të cilën mbush 12 vite punë. Dua të falenderoj televizionin Top Channel, pa ekranin e të cilit nuk do të ishte “Fiks Fare”, por do të ishte “Kot Fare”, theksoi në fjalën e tij Filip Cakuli.Mbrëmja gala e organizuar nga Top Media kushtuar familjeve të ngujuara do të transmetohet në datën 1 janar 2014 dhe të gjithë janë të ftuar të kontribuojnë për këto familje dhe sidomos fëmijët, viktimat e pafajshme të këtij fenomeni.