Vlora nderon Dritan Hoxhën
“Unë kam një vizion për Shqipërinë, për të ardhmen e saj dhe mundohem ta pasqyroj atë në televizionin Top Channel”.Dritan Hoxha, korrik 2007; themelues i Top Media.
Ky vizion, i kthyer në bindje dhe më pas realitet, e bën Dritan Hoxhën, themeluesin e Top Medias, një nga njerëzit që renditet në krah të atyre shqiptarëve të këtyre 100 viteve, që patën jo vetëm vizionin për një Shqipëri më të mirë, por që e bënë atë më të mirë.
Më shumë se në çdo kohë dhe më shumë se kudo, nderimi për ideatorin dhe revolucionarin e medias shqiptare, Dritan Hoxha vjen në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së vendit nga kryeqendra e Flamurit, Vlora.
Para disa ditësh Këshilli Bashkiak i këtij qyteti me propozim të kryebashkiakut Shpëtim Gjika, i dha titullin “Qytetar Nderi” Dritan Hoxhës, për kontributin e madh të dhënë përmes medias në bashkimin e shqiptarëve, unifikimin e gjuhës zyrtare shqipe, vleresim që stafi i Top Medias e ka festuar së bashku me vlonjatët në sheshin e Flamurit, mbrëmjen e së djelës.
Përpara një prezence të qytetarëve vlonjatë të pakrahasueshme me asnjë aktivitet tjetër, kryebashkiaku i qytetit të pavarërisë, Shpëtim Gjika veçoi kontributin e Dritan Hoxhës si arikitektin e një mediaje që u kthye në pasurinë e të gjithë shqiptarëve, ku më shumë se gjithçka përcjell ngjyra të forta kombëtare.
“Vlora, qyteti ku Ismail Qemali ngriti flamurin dhe shpalli pavarësinë, feston sot bashkë me Top Median, median që solli në Shqipëri revolucionin më të lartë teknologjik dhe standartet më të larta. Për këtë arsye, bashkia ka vlerësuar me titullin Qytetar Nderi krijuesin e Top Medias, zotin Dritan Hoxha. Këtë çmim kam nderin t’ia dorëzoj bashkëshortes së tij, zonjës Vjollca Hoxha”, u shpreh Gjika.
“Dhjetë vjet më parë të gjithë ëndërronim që shqiptarët të bëheshin një, të bashkoheshin të gjitha trojet, por pakkush imagjinonte që do të bëheshim bashkë përmes një sinjali, përmes medias së Dritan Hoxhës. Ajo kapërceu kufijtë dhe realizoi një bashkim kulturor dhe shpirtëror për të gjithë shqiptarët. Trevat shqiptare sot janë më afër falë një sinjali, falë ëndrrës së Tanit”, tha zonja Hoxha nga ana e saj.
Mbrëmja ka vijuar me një koncert të madh që Top Media organizoi për të festuar së bashku me qytetarët e Vlorës 100-vjetorin e Pavarësisë. Prezantues, emrat më të njohur të muzikës dhe aktorët e teatrit të humorit, Portokalli, për rreth dy orë kanë mbajtur të ndezur atmosferën në Vlorë që ka parë për herë të parë për stafin e Top Medias në sheshin e rikonstruktuar të këtij qyteti, përballë një publiku që është bashkuar në humor dhe në këngë.
Me këtë rast Top Media përgatiti në këtë shesh edhe dhuratën që do t’i bëjë shqiptarëve në përvjetorin jubilar të Pavarësisë, surprize e cila do të zbulohet në 28 Nëntor në ekranin e Top Channel, gjatë një transmetimi maratonë.